Ditari i një dite gjatë pandemisë COVID-19

14 Shtator, 2020 Lajmet

U zgjova në mëngjes prej rrezeve të forta të diellit që binin pingul në syrin tim të etur  për më shumë gjumë…

Po, jam e etur për gjumë edhe pse e gjithë bota është duke pushuar, meqenëse trupi im  s’ka pushuar kurrë, virus e pa virus, karantinë e pa karantinë.

Sepse si grua që jam duhet ta kap gjumin e ta hedh në rrezet e diellit të mëngjesit, ta fërkoj fytyrën me ujë sa më të ftohtë, që të jem shumë e kthjellët gjatë gjithë ditës, sepse më pret shumë gjatë saj…

Së pari si një grua që jam duhet të filloj prej përgatitjes së rrobave që në natën e  kaluar të gjithë m’i hodhën te këmbët për t’i “pastruar”, sepse njeriu bëhet githmonë e më përtac kur ka për të pushuar, por jo vetëm në kohë pandemi. Si një nënë, kam fëmijë për të pastruar, për të veshur e për të krehur, e ndoshta krejt çka më mban në këmbë për të mos u dorëzuar janë duart e tyre të vogla teksa ma rrethojnë fytyrën e më thonë “Mami, pse nuk pushojnë duart tua”…

Si gruaja e burrit tim përtac, duhet t’ia bëj gati mëngjesin, sepse “mbledhjet në distancë” janë duke filluar herët në mëngjes, dhe nuk e lë dot të jetë i uritur as tash që mbledhjet i mban në shtëpi. Sepse kur punonte në normalitet, natyrisht që isha unë ajo që këmishën e tij e bëja më të drejtë  se e re, e kravatën ta kishte fiks nëpër vijat e kopsave, sepse unë jam gruaja e burrit tim, dhe unë jam gruaja e cila s’e lë ta ketë këmishën e rrudhur, por ia hekuros me shpindën të kërrysur. E poashtu, pasi që të gjithë janë të rehatuar, rehatoj edhe dhomat e shtëpisë, “fshij” gjithçka që virusin do e sillte më afër, e assesi ta lë pluhurin të thithet, sepse une jam nënë dhe grua që s’lë shenja pluhuri në shtëpi…

Ndërsa veten time thjesht e pastroj dhe i jap kurajo të japë gjithçka që fëmijët, bashkëshorti e shtëpia ku jetojmë të jetë e përsosur ashtu siç ka qenë gjithmonë edhe para pandemisë. 

Neve grave zakonisht na humb vlera dhe jemi të fundit që vlerësohemi, por kur erdhi koha e pandemisë, të gjithë e pamë se kush me të vertetë duhet të vlerësohet për pastërtinë dhe mirëmbajtjen e shtëpisë, fëmijëve, bashkëshortit, dhe gjithçkaje që të rrethon në ambientin e shtëpisë ku jeton.

Jo se punoj të lavdërohem apo të më thotë dikush BRAVO, por sepse nuk jemi duke bërë punë të rëndomtë – që meriton të paktën një falënderim, e sidomos tani që ndoshta kemi qenë “masë mbrojtëse” e kësaj pandemie duke qenë të fuqishme si gjithmonë, si çdo ditë, por në këtë pandemi pak më tepër. Jo se kemi bërë “namin”, por si gra e kemi dhënë maksimalen e duhur, për këtë shtëpi në pandemi e jashtë pandemisë. Faleminderit i them edhe vetes per durimin e motivin që kalova pandeminë me këto dy “duar”.

Ky artikull u shkrua nga Diellëza Krasniqi studente në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës – Departamenti Punë Sociale në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Ballkan në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak.

#YMI #CareInternational #CARE #ProgramY #ProgramE #SvicarskauBiH #AustrianDevelopmentAgency #OakFoundation

Supported by

© Young Men Initiative - All rights reserved - 2023