Yoga është një teknikë e fuqishme për të ndihmuar me stresin e pasigurisë dhe izolimit që po hasim këto ditë, si dhe për të ruajtur mirëqenien fizike. Yoga arrin të krijojë unitet midis trupit, mendimeve dhe veprimeve tona duke na afruar më shumë me botën dhe natyrën përreth nesh.
Prandaj, Klubi Bonu Burrë vendosi të promovojë ushtrimin e Yogas në ditën kushtuar saj. Më 21 qershor, në ora 18:00 Live në Facebook, ftuam mësuesin e çertifikuar nga Yoga School Kosovo, Bujar Prestreshi për të ndarë me ndjekësit tanë benefitet e yogas dhe disa ushtrime për fillestarë.
Jemi mësuar të shohim gra duke praktikuar yoga shumicën e rasteve. Në fakt, cilësohet si një prej profesioneve që dominohet nga gratë. Në 30 gra, vetëm 1 burrë trajnohet për t’u bërë mësues i yogas. Stereotipet që zakonisht dëgjojmë janë se djemtë dhe burrat nuk janë mjaft fleksibël për këto ushtrime, ose nuk është aq e ashpër si stërvitje, ose thjesht nuk është një gjë burrërore për të bërë një burrë. Projekti Iniciativa e Burrave të Rinjë edhe një herë nëpërmjet këtij eventi tregoi se stereotipet gjinore nuk janë medoemos të vërteta dhe asnjëherë nuk duhet ndjekur e lejuar të na ndalin nga ëndërrat dhe pasionet që ne kemi. Patëm rastin të shohim se si një burrë perfeksionoi ushtrimet e yogas për të trajnuar edhe të tjerët. Me këto ushtrime ai mbërriti që të largojë dhimbjet e shpinës, por edhe ankthin e depresionin.
Bujari minutat e para të eventit ia dedikoi pjesës teorike të yogas. “Është vërtetuar që për të mbajtur një jetesë të shëndetshme dhe paqësore, yoga luan rol të rëndësishëm. Arsyjet pse yoga duhet të jetë pjesë e jetës së gjithsecilit, janë edhe shërimet nga problemet fizike dhe psikologjike. Në shekullin XXI ku teknologjia na shpërqendron gjatë tërë kohës dhe na krijon stres, muskujt e trupit tendosen dhe nuk munden të kryejnë aktivitetet e tyre ditësore pa dhimbje. Me pak investim të kohës dhe pak ushtrim fizik, përfitimet janë shumë të mëdha. Nyjet do të jenë të relaksuara. Yoga është një traditë mijëra vjeçare që ka filluar të praktikohet në vendet e lindjes në Azi, dhe sot praktikohet në tërë botën. E mira e kësaj është që nuk merr shumë kohë. Edhe për 30 minuta në mëngjes, ose në mbrëmje ju do të ndiheni shumë mirë dhe kjo rutinë do të kthehet në mënyrën e jetesës suaj” tha ai.
Minutat e mbetur ai na tregoi disa ushtrime bazë të cilat mund të ushtrohen nga të gjithë. Janë shumë të lehta, por shumë fitimprurëse. Mesazhi që u përqua ishte që vetëm me praktikimin e atyre pak ushtrimeve të treguara nga mësuesi, frymëmarrja juaj përmirësohet, dhimbjet e shpinës dhe qafës do të largohen, dhe krejt kjo pa kosto fare. Inevstoni në mirëqenien tuaj fizike dhe psiqike sepse ju do t’i shijoni përfitimet e saj çdo ditë!
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, implementuar nga CARE International Ballkan në partneritet me YMCA në Kosovë dhe SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak.
#YMI #CareInternational #CARE #ProgramY #ProgramE #SvicarskauBiH #AustrianDevelopmentAgency #OakFoundation