Punët e shpisë nuk kanë gjini!


19 Maj, 2020 Lajmet

Riorganizimi i jetës dhe i bashkëjetesës brenda shtëpisë në këtë kohë ka ndikuar tek gjithsecili – shikuar nga një perspektivë gjinore, ky riorganizim tenton që të shtypë gratë tutje. 

Ajo çka nuk ndryshon as këtë kohë, është nevoja për t’u ushqyer, për përkujdesje e pastërti, e që të gjitha këto në një shoqëri si kjo e jona – kryesisht i bëjnë gratë. Ndarja gjinore e punës në shtëpi që kryesisht vjen si shkak i përcaktimit të roleve gjinore, vendosë barrën kryesore të përgjegjësive brenda shtëpisë mbi gratë.

Në terma ekonomik sipas standardeve të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), puna e grave në shtëpi konsiderohet si jo produktive. Rrjedhimisht, sipas kësaj logjike, koha që gratë e shpenzojnë duke kryer punët e shtëpisë, konsiderohet si ‘pushim’, mirëpo kjo e dimë që nuk ndodhë, e sidomos në këtë kohë.

Duke u nisur nga ky fakt, organizata jonë partnere SIT nisi fushatën “Punët e shpisë nuk kanë gjini!” ku mbajti diskutim me po këtë temë bashkë me Mirishahe Syla, Këshilltare për Çështje Gjinore në SIT dhe Kadri Gashim Koordinator i Projektit “Iniciativa e Burrave të Rinj” nga SIT. Bashkë me anëtarët e Klubit Bonu Burrë dhe me pjesëmarrës të tjerë, u diskutua për barrën e shtuar të punëve në shtëpi dhe hendekun gjinor të këtyre punëve; si ndikon kjo në jetën e grave dhe të burrave, implikimet gjatë krizës, maskulinitetin jo të shëndetshëm dhe pse është e rëndësishme ndarja e punëve të shtëpisë.

Kjo fushatë nisi me qëllim të problematizimit të kësaj çështje dhe zhvendosjes së diskutimit nga sfera private në atë publike.

Këtë fushatë e përcolli diskutikimi tjetër “Sfidimi dhe Ridefinimi i ‘Burrërisë’ në Kosovë” me panelist Besnik Leka, sociolog.

Në një kontekst psikoanalitik, Terry Kupers përshkruan maskulinitetin jo të shëndetshëm si “nevoja për të konkurruar në mënyrë agresive dhe për të sunduar të tjerët” dhe si “konstelacioni i tipareve mashkullore regresive shoqërore që shërbejnë për të nxitur dominimin, zhvlerësimin e grave, homofobinë dhe sundimin e dhunshëm”.

Koncepti i maskulinitetit jo të shëndetshëm u referohet normave shoqërore e kulturore që janë të dëmshme jo vetëm për burrat por edhe shoqërinë në përgjithësi. Këtu hyjnë të qenët agresiv, të dhunshëm, pamundësia për të shprehur emocione pozitive dhe shumë norma të tjera që u imponohen djemve dhe burrave nga sistemi patriarkal, të cilat nuk janë aspak të shëndetshme. Konceptualisht, maskuliniteti jo i shëndetshëm sqaron se si dhe pse burrat mbajnë role shoqërore dominuese mbi gratë dhe mbi identitetet tjera gjinore, të cilat perceptohen si “femërore” në një shoqëri të caktuar.

Bashkë me të, anëtarët e Klubit, dhe pjesëmarrës të tjerë, u diskutua se si mund të thyejmë ciklin e maskulinitetit jo të shëndetshëm, krizat e këtij maskuliniteti, cilat janë disavantazhet për djemtë dhe burrat mbi këtë mendësi dhe cilat janë përfitimet e tyre me ndryshimin e këtyre sjelljeve.

Në kuadër të kësaj fushatë do të ketë edhe aktivitete të tjera si: hulumtim për angazhimin e burrave dhe djemve në punët e shtëpisë, video me mesazhe nga njerëz me ndikim, infografika me të dhëna nga hulumtimi, etj.

Aktiviteti u implementua nga SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime  në kuadër të Iniciativës së Burrave të Rinj II –  “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan”, mbështetur nga CARE International Ballkan, Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni Oak.

#YMI #CareInternational #CARE #ProgramY #ProgramE #SvicarskauBiH #AustrianDevelopmentAgency #OakFoundation

Supported by

© Young Men Initiative - All rights reserved - 2023