Klubi Bonu Burrë implementohet edhe në komunën e Podujevës

19 Shkurt, 2020 Lajmet e YMI-të, Rajonale dhe Ndërkombtare

Klubi Bonu Burrë tani është zgjeruar dhe ka krijuar grupin e vet edhe në komunën e Podujevës.

Gjatë javës së shkuar, djemtë dhe vajzat e Klubit Bonu Burrë në Podujevë zhvilluan disa nga temat e programit “Y+”.

“Pushteti dhe Lidhja” ishte njëra nga temat që këta të rinj e të reja i diskutuan dhe krijuan disa skena interpretimi mbi to. Ata/o u ndanë në grupe dhe shpejt e shpejt krijuan ngjarje mes lidhjes dhe pushtetit në raste brenda familjes, shoqërisë, punës dhe shkollës.

Në këto skena të shkurta u diskutuan çështje si diskriminimi gjinor, dhuna, përdorimi e pushtetit, kontrollimi i emocioneve, menagjimi i situatave e shumë tema të tjera sociale.

Në skenën e familjes, këta djem e vajza nxorrën në pah dallimet gjinore që ekzistojnë brenda familjes, që shumë shpesh dallimet mes vajzave dhe djemve janë lehtë të vërejtshme, edhe tek liria e lëvizjes, shprehjes e deri tek prona e vendim-marrja. Përdorimi i pushteti u diskutua edhe në relacionin nxënës-mësimdhënës, bashkë me menagjimin e situatave e kontrollimi i emocioneve.

Të rinjtë/rejat diskutuan edhe mbi shkeljen e të drejtave të punëtorëve/eve nga drejtuesit/et e vendit të punës si rrjedhojë e autoritetit dhe përdorimit të pushtetit. Ata/o treguan raste të ndryshme që kanë dëgjuar nga të afërm mbi situata të ndryshme që kanë përjetuar, e që ende janë temë diskutimi në shoqërinë tonë.

Përfundimi i punëtorisë nxorri ide të reja nga këta djem e vajza tejet entuziast/e! Të gjithë/a një zëri u dakorduam se duhet angazhim dhe aktivizëm i gjithësecilit/ës mbi të drejtat e njeriut, barazisë gjinore, mos-diskriminimit, paragjykimet, dhunës dhe parandalimit të dukurive negative në shoqëri. Ne vendosëm që të takohemi më shpesh dhe të diskutojmë në lidhje me çështje të ndryshme që e preokupojnë komunitetin tonë, andaj na pret shumë punë dhe përkushtim mbi kauza shoqërore!

Bashkë me këta anëtarë/e të Klubit, ne jemi duke punuar mbi programin “Y+”, program i cili ka për qëllim parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Tash e sa muaj, ne jemi duke e pilotuar këtë projekt në komunën e Podujevës dhe tani edhe po vazhdojmë të mbajmë punëtori e takime me djemtë dhe vajzat e shkollës së mesme “Isa Boletini”, takime me përfaqëses/e të institucioneve publike, mësimdhënës/e, policinë, punëtor social, prokuror e gjykatës nga po kjo komunë.

Sa më shumë angazhim shoqëror, aq më afër jemi drejt barazisë gjinore dhe drejtësisë shoqërore!

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Burrat dhe djemët si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” i implementuar nga CARE International në Ballkan në partneritet me SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime dhe YMCA në Kosovë mbështetur nga Agjensioni Austriak për Bashkëpunim (ADA) dhe OAK Foundation.

#YMI #CareInternational #CARE #ProgramY #ProgramE #SvicarskauBiH #AustrianDevelopmentAgency #OakFoundation

Supported by

© Young Men Initiative - All rights reserved - 2023