Festivali i Baballarëve – Edicioni i Parë

26 Dhjetor, 2020 Lajmet

Në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit, organizata partnere e YMI, SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizoi Festivalin e Baballarëve në Prishtinë për ndër të baballarëve, për të festuar atësinë, lidhjet prindërore dhe ndikimin e baballarëve në shoqëri sa i përket barazisë gjinore dhe prindërimit pozitiv.

Festivali i baballarëve është i pari i këtij lloji në vendin tonë. Në edicionin e parë të këtij festivali, duke iu përmbajtur rregullave dhe këshillave të institucioneve përkatëse lidhur me COVID-19 SIT organizoi aktivitete të ndryshme së bashku me 10 familje pjesëmarrëse. Përmes lojës fëmijët mësuan për profesione të ndryshme, si ai i dentistit, puna me kompjuter, puna e mekanikut, gazetarisë, puna në ndërtimtari e kështu me radhë. 

Këto aktivitete synojnë që të nxisin inkuadrimin e baballarëve në jetët e fëmijëve të tyre, në iniciativa për barazi gjinore, në ndarjen e punëve të shtëpisë, e poashtu vetëdijësimin e fëmijëve për këto tema. 

Fëmijët ishin shumë të lumtur që po mësonin gjëra të reja, e më tepër që po kalonin kohë me baballarët e tyre. Të dy palët kishin shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Është shumë e rëndësishme që fëmijët të mësojnë që profesionet dhe punët e shtëpisë nuk kanë gjini. Djemtë dhe vajzat patën mundësinë që të provojnë punë të ndryshme, duke vërtetuar që ata mund të zgjedhin cilindo profesion që dëshirojnë në të ardhmen. 

Rezultatet e hulumtive të bëra nga SIT tregojnë që baballarët merren pak me punët e shtëpisë, barra u bie nënave. Përmes iniciativave të tilla SIT synojmë që t’i thejmë këto norma që janë shumë të dëmshme për shoqërinë tonë. [1]

Është kënaqësi dhe motiv për të punuar më shumë kur takojmë familje të shëndosha ku prindërit bëjnë ndarjen e përgjegjësive në mënyrë të barabartë, përçojnë shembull ideal për shoqërinë rreth rritjes dhe përkujdesjes së fëmijëve dhe mbi të gjitha – kur shohim baballarë që janë rol model i baballarëve të tjerë për angazhimin e tyre në atësi pozitive dhe prindërim

Familjet pjesëmarrëse përveç që kaluan kohë së bashku, mësuan për punët e përditshme dhe rëndësinë e ndarjes së tyre pa marrë parasysh gjininë. 

Festivali i Baballarëve 2020 implementohet nga SIT në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit dhe mbështetet nga UNFPA në Kosovë, Komuna e Prishtinës, Care International në Ballkan, Agjencioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni OAK.


[1] https://sit-ks.org/punet-e-shpise-nuk-kane-gjini/

Supported by

© Young Men Initiative - All rights reserved - 2023