Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Qendra ACT for SOCIETY organizoi eventin “Kick-off” në shkollën e mesme “Ismail Qemali”.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte prezantimi i projektit ” Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” midis aktorëve të ndryshëm. Në këtë aktivitet ishin prezent rreth 110 pjesëmarrës, ku përfshiheshin: mësues, anëtarë të klubit të të rinjve, nxënës të shkollës së mesme, si dhe drejtoresha e shkollës.
Pjesë të këtij aktiviteti ishin edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, kryetari i Kongresit Rinor Kombëtar në Shqipëri Z. Dritan Sakuta dhe Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të të Rinjve Znj. Andi Rabiaj. Z. Haber Habertheuer nga Agjencia Austriake për Zhvillim në Shqipëri ishte gjithashtu pjesë e këtij aktiviteti, ku ai u shpreh se ishte shumë e rëndësishme për të që të shihte se si të rinjtë mund të kontribuojnë në ndryshimin e situatës.
Gjatë këtij eventi, ne prezantuam projektin në detaje duke i kushtuar vëmendje bashkëpunimit dhe mundësive të përfshirjes. Në fund të aktivitetit, disa nga anëtarët tanë të talentuar të Klubit të të rinjve prezantuan një poemë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe një koreografi mbi dhunën kundër grave. Produkte interesante të këtij aktiviteti ishin tabelat e përgatitura nga të rinjtë ku prezantohej historia e lëvizjes së feminizmit. Ky aktivitet rezultoi mjaft i suksesshëm në drejtim të rritjes së interesit të mësuesve në veçanti.
Ky event lançues u organizua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan” i cili do të implementohet nga CARE International Balkans në partneritet me Qendrën ACT for SOCIETY dhe mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe OAK Foundation. #CountMeIn