Sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Grave, në vend të festës, sot “Klubi Bonu Burrë” me sloganin #CountMeIn marshoi për të drejtat e grave, kundër diskriminimit gjinorë, stereotipeve dhe dhunës në baza gjinore.
Djemtë dhe vajzat e klubit i’u bashkangjitën iniciativës “MARShojmë S’festojmë”, e cila u organizua nga gra dhe burra vullnetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile, kolektiv të individëve dhe organizatave në sheshin kryesor të Prishtinës “Zahir Pajaziti”.
Para 8 Marsit, vullnetarët e “Klubit Bonu Burrë” janë mbledhur për të diskutuar idetë rreth aktiviteteve për këtë ditë dhe si t’i njoftojnë të tjerët me vlerën e grave dhe vajzave tona.
Idetë, mendimet e tyre dhe gatishmëria për t’u angazhuar për këtë ditë ishte aq mbresëlënëse. Prandaj, vullnetarët tanë vendosën që përveç përfshirjes në marsh për 8 mars, të krijojnë një video nga vetë ata/ato, duke bërë thirrje për barazi gjinore, duke i njoftuar të tjerët se ata duhet të luftojnë për të drejtat e grave, të gjitha gratë duhet të kuptojnë vlerën e tyre në këtë botë dhe të mos ti përdorim vetëm për 8 mars për të shprehur dashurinë për gratë dhe vajzat, por për t’i dashur ata çdo ditë.
Motoja jonë për këtë ditë ishte: “Unë premtoj që kurrë të mos hesht për dhunën kundër grave!” Sot, vullnetarët tanë protestuan me postera në duart e tyre, për të pasur ditë më të mira për gratë dhe vajzat tona dhe duke u zotuar se nuk do të ndalen kurrë duke luftuar për të sjellë barazinë gjinore në këtë shoqëri.
Marshi i “Klubit Bonu Burrë” u organizua në kuadër të projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit tek të rinjtë në Ballkan, i cili implementohet nga CARE Internacional në partneritet me Rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatarë (PEN) dhe mbështetur nga Agjencioni Austriak për Bashkëpunim (ADA) dhe OAK Foundation. #CountMeIn